
I pranishëm në Universitetin Bujqësor të Tiranës për prezantimin e Skemës Kombëtare për të ardhmen e prodhimit vendas, kryeministri Edi Rama duke folur për iniciativën dhe ambicien e shndërrimit të UBT-së në një qendër ekselente në Ballkan, dhe më vonë edhe në Europë. Kryeministri deklaroi se në mbledhjen e radhës së qeverisë, do të propozohet një rritje me 7% të rrogave të pedagogëve universitarë.
Por Rama vuri disa kufizime në këtë rritje. “Do të vëmë një tavan për universitetet, nuk mund të paguhen të gjithë njësoj, universiteti është autonom, është midis shtetit dhe tregut”, deklaroi ai.
“Atyre që dalin në rrugë dhe që kërkojnë rritje pagash, ju them se nuk jeni mësues gjimnazi ose 9-vjeçareje, as mjekë, as infermierë në shërbimin publik, as punonjës policie, as ushtarakë, as nëpunës civilë, dhe as pensionistë”, iu referua ai pedagogëve në protestë edhe ditën e sotme.
Sipas tij, të gjithë këto kategori marrin një rrogë apo pension fiks, ndërkohë që pedagogët janë në një hapësirë të ndërmjetme midis rrogës së shtetit dhe një dimensioni që me fonde të tjera mund t’i rrisin ndjeshëm të ardhurat.
Duke folur sërish për kampusin e UBT-së, Rama tha se do të ishte nga më të mirët për kushtet që ofron. "Më parë, aty ku kishte një grumbullim karakatinash, me familje të futura aty gjatë ndryshimit, ose të banuara nga studentë jashtë çdo kushti”, tha Rama.
Rama foli për potencialin e bujqësisë shqiptare, që sipas tij do të ndihmohet nga Skema Kombëtare.
“Objektivi është çuarja shumë herë më lart se tani, ku jemi shumë herë më mirë seç ishim parë. Është koha e sipërmarrjes në fshat, dhe jo e mbijetesës, e lëmoshës së shpërndarë kudo në territor. Është diçka që ndoshta mban gjeneratën e vjetër në territor, por kurrsesi nuk tundon gjeneratën e re për të punuar, sepse ato duan të fitojnë më shumë. Toka dhe fshati e mundësojnë këtë fitim, por kush është i gatshëm të bëj punën e lodhshme fiton mirë”, deklaroi kryeministri në Kamëz. (A2 Televizion)