
Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lealba Pelinku, tha se në 6 qytete ku po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore, vetëm në 15 qendra votimi janë ndryshuar pajisjet e verifikimit elektronik. Ajo tha se vetëm në një rast, komisionerët kanë kaluar në mënyrë të parregullt në verifikim manual.
“Në një rast, komisioni i qendrës së votimit në mënyrë të paligjshme nuk ka pritur dy orë për të zëvendësuar pajisjen dhe ka kaluar në verifikim manual”, tha Pelinku. E pyetur sa e mundshme është të kontestohet procesi, Pelinku tha: “Në momentin që është bërë në përputhje me rregullat nuk paraqet problematika. Në rastin që përmenda, duhet parë, pesha specifike që zë rezultati i asaj qendre votimi, por paraprakisht mund të them që edhe mund të mos e impaktojë”. (A2 Televizion)