
Skema e pensioneve po rrezikon Buxhetin e Shtetit. Shqetësimi u ngrit nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në mbledhjen e fundit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Përfundim të ngjashëm ndau më herët edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e auditit të zhvilluar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore nga ku rezultoi se numri mesatar i kontribuuesve për sigurimet shoqërore rezultoi në 642.400 në vitin 2020, duke u ulur me mbi 17.700 në raport me 2019-ën.
Rritja e numrit të të punësuarve, që do sillte automatikisht më shumë kontribuues, shihet si një mekanizëm që mund të shpëtojë skemën e pensioneve. Po si mund të zbatohet ky mekanizëm?
Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, diferenca mes shpenzimeve për pensionet dhe të ardhurave që përftohen nga kontributet e individëve, njohur edhe si deficit buxhetor, në 6 muajt e parë të vitit arriti në 12,6 miliardë lekë ose 23% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020, ku ky tregues ishte 10.3 miliardë lekë. (A2 Televizion)