
Vitin e ardhshëm buxheti për bashkitë do të rritet me vetëm 3% . Kjo është norma e rritjes e parashikuar në projektbuxhetin 2022, që ka nisur të diskutohet në komisionet parlamentare. Një rritje që është në kufijtë e inflacionit dhe më e ulët sesa rritja ekonomike prej 4.1% e parashikuar në këtë draft për vitin e ardhshëm.
Të dhënat e draftit tregojnë se qeveria parashikon që vitin e ardhshëm të japë si transfertë të pakushtëzuar për bashkitë 18.7 miliardë lekë, me rritje vetëm 250 milionë lekë kundrejt vitit 2021 për 61 bashkitë. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, i bie 4 milionë lekë për çdo bashki, çka do të thotë një shumë thuajse e papërfillshme
Qeveria parashikon që bashkitë të mbledhin më shumë të ardhura, bazuar në një performancë më të mirë të tyre. . Për vitin 2022 parashikohet të kenë një rritje të tyre me rreth 1.5 miliard lekë më shumë se sa plani i vitit 2021 ose 6% më shumë. Një objektiv jo i lehtë për t’u arritur, në kushtet kur pandemia e COVID 19 është ende e pranishme dhe ka goditur aftësitë paguese të qytetarëve dhe bizneseve dhe kur bashkitë nuk kanë dhënë prova se mund ti mbledhin taksat dhe tatimet në territoret që administrojnë. (A2 Televizion)