
Banka e Shqipërisë vlerëson se projektbuxheti për vitin e ardhshëm i përgjigjet krizave që vendi po kalon dhe nevojave që qytetarët kanë, por disa elementë të strukturës së tij duhen rishikuar.
Në fjalën e tij në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, Guvernatori Gent Sejko theksoi nevojën për krijimin e mekanizmave për mirëmenaxhimin të shpenzimeve publike, mbajtjen në kontroll të deficitit buxhetor dhe ruajtjen në nivele të kontrollueshme të Borxhit Publik.
Konstatimet e Bankës Qendrore u “përqafuan nga demokratët”.
Në vijim të fjalës, Sejko kërkoi gjithashtu nga institucionet kujdes të shtuar dhe ndërhyrje të menjëhershme në skemën e pensioneve dhe atë të sigurimeve shëndetësore, si dhe vendosjen e një norme tavan mbi shpenzimet për kontratat koncesionare.
Diskutimet në Komisionin për Ekonominë dhe Financat u zgjeruan gjithashtu në rrezikun që paraqesin interesat e larta nga institucionet financiare jo-banka apo nevojën për ndërhyrje në rrafshin e politikës monetare në rast të rritjes përtej kufirit maksimal të inflacionit. (A2 Televizion)