
Për herë të parë, Presidenti amerikan Joe Biden akuzoi liderin rus Vladimir Putin për genocid në Ukrainë, duke e përkufizuar atë një diktator. Administrata e SHBA kishte artikuluar akuza për krime lufte ndaj Moskës, por deri më tani nuk kishte shkuar aq larg sa të fliste për gjenocid.
Gjatë fjalës së tij në shtetin e Ajouas, ku promovoi një program që do të ndihmojë në uljen e çmimit të karburantit, Biden shtoi se do të ishin organet e drejtësisë ato që do të vendosnin nëse ishte kryer genocid në qyteza të tilla si Bucha.
“Buxheti i familjes suaj, mundësia për të mbushur serbatorin, asnjë prej këtyre nuk duhet të varet nga fakti se një diktator shpall luftë dhe kryen genocid gjysmë bote larg”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili e mbrojti edhe në një tjetër dalje publike akuzën e fortë për genocid, të cilën e kishte shmangur deri më tani.
“E quajta gjenocid, pasi po bëhet gjithmonë e më e qartë se Putin po përpiqet të eleminojë idenë e të qënit ukrainas dhe provat po shtohen”, theksoi Biden.
Deklarata shënon një përshkallëzim dramatik të retorikës dhe tregon edhe një herë se Biden po lejon që pikëpamjet personale emocionale të dalin mbi politikën zyrtare amerikane lidhur me konfliktin. Autoritetet në Ukrainë i kanë përshkruar vrasjet e civilëve në qytezën e Buchas si genocid të vërtetë dhe thonë se varre masive po zbulohen çdo ditë.
Më i kujdesshëm në komente ishte Presidenti francez Emmanuel Macron. Në një intervistë për “France 2”, ai shmangu përdorimin e fjalës genocid dhe tha se duhej treguar kujdes me termat për të mos përshkallëzuar situatën. (A2 Televizion)