
Përfaqësuesit e Bashkisë së Bulqizës po trokasin derë më derë, për të bindur banorët të dalin nga shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti. Ky pallat në Lagjen e Re, është shpallur i pabanueshëm për herë të tretë, por banorët kanë vijuar të jetojnë në të. Në nëntor të vitit 2019, pallati pësoi dëmtime nga tërmeti që tronditi gjithë Shqipërinë.
Bashkia u kërkoi banorëve të linin shtëpitë, por ata nuk u bindën. Në nëntor të vitit 2021, një tjetër tërmet tronditi Bulqizën. Pallatit i dolën edhe më në pah dëmtimet në strukturë. Autoritetet sërish i kërkuan banorëve të braktisin apartamentet e tyre, por edhe këtë herë negociatat dështuan. Kjo është hera e tretë që pallati shpallet i pabanuar dhe sërish banorët shprehin kundërshtim për të dal nga shtëpitë e tyre.
“Nuk dalim se kemi investuar miliona lekë .Bashkia të na sigurojë kontrata dhe qiratë e nevojshme”, thonë banorët.
Për afro 4 vite banorët jetuan me mure të plasaritura e themele të dëmtuara. Pas shumë negociatash, 12 familjet që banonin në këtë pallat kanë pranuar të jetojnë mebonusin e qiras, deri në rindërtimin e plotë të tij. (A2 Televizion)