Moti i keq, probleme në linjat e furnizimit me energji elektrike dhe në akset rrugore në Tropojë

Nga A2 CNN
19 Janar 2023, 11:23 | Aktualitet
Moti i keq, probleme në linjat e furnizimit me energji elektrike dhe

Tropoja është bashkia më e prekur nga situata e krijuar nga përkeqësimi i kushteve te motit. Në 48 orët e fundit ka pasur reshje shiu të cilat janë shoqëruar me erë të fortë e për rrjedhojë kanë shkaktuar probleme në linjat e furnizimit me energji elektrike dhe në akset rrugore.

Pa energji elektrike janë fshatrat Zogaj Kepenek, Kam, Radogosh, Berishë dhe Çorraj të Njësisë Administrative Bytyq.

Ekipet e OSHEE ndodhen në terren për çdo avari duke siguruar furnizim me energji për banorët. Disa akse rrugore nacionale dhe rurale u dëmtuan për shkak të rënies se gurëve dhe inerteve.

Ka pasur rënie inertesh dhe gurësh, bllokime tumbinosh, ku në rrugën Bajram Curri-Fierz, Km 12 ka pasur rrëshqitje skrapati dhe bllokim të përkohshëm të saj.

Bashkia Tropojë njoftoi se si pasojë e reshjeve të shiut në Lekbibaj, Tropojë e Vjetër, Bytyç, Valbonë ka pasur dëmtime në ura dhe rrugë.

Bashkia njoftoi se grupet e punës të emergjencave civile janë në terren për riparimin e dëmeve dhe verifikimin dhe dokumentimin e tyre.

Në Fshatin Tetaj, Njësia Administrative Lekbibaj, është dëmtuar banesa e familjes Gjelosh Gjon Qehaja. Si pasojë e erërave të forta çatia është dëmtuar komplet ndërsa banesa është bërë pa banueshëme duke lënë përjashta anëtarët e familjes në motin me shi dhe erë.

Nga informacioni i KMC Prefektura Kukës, rezulton se rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Në rrugët ku ka rënie gurësh dhe inertesh nga subjektet kontraktore po punohet për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të tyre.

Strukturat përgjegjëse të EC-së së bashkive me kapacitet e tyre janë në gatishmëri për ndërhyrje. Në Kukës dhe Has, pa energji janë Njësia Administrative Shishtavec, Topojan, Tërthore, Kolsh, Surroj dhe Malzi bashkia Kukës, fshatrat Perollaj, Bardhaj, Helshan Kosturr Nj.Ad Golaj, fshati Myç-Has, Njësia Administrative Gjinaj, bashkia Has.

Grupet e punës të OSHEE-së po punojnë për kthimin në normalitet të rrjetit elektrik të dëmtuar. Rezervuaret janë në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë Qarkun Kukës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos