“Përçmim për akuzat e opozitës”, ministri Manja: Të zbardhet vrasja e Ardian Nikulajt!

Nga A2 CNN
20 Prill 2023, 10:31 | Aktualitet
“Përçmim për akuzat e opozitës”, ministri

Duke folur pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, bëri me dije se nga rritja e pagave do të përfitojnë edhe punonjësit e policisë së burgjeve. Po ashtu, sipas Manjës, do të rriten pagat drastikisht edhe për punonjësit e sistemit shëndetësor të burgjeve.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u ka bërë thirrje autoriteteve që të zbardhin ekzekutimin e biznesmenit në Shëngjin, Ardian Nikulajt. Manja e bëri këtë thirrje pas mbledhjes së qeverisë, ku i kërkoi organeve ligjzbatuese që të vënë para drejtësisë autorët e këtij krimi të rëndë.

Një përgjigje e kishte edhe për kundërshtarët politikë, më konkretisht për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili një ditë më parë drejtoi gishtin nga qeveria si autore të krimit. Berisha tha se Nikulaj, i cili ishte edhe anëtar i Këshillit Bashkiak Lezhë nën siglën e PSD-së, ishte kundër kandidimit të Pjerin Ndreut. Por, këto akuza, Manja nuk i konsideron gjë tjetër veçse neveritëse. Sipas tij, Berisha po e përdor këtë ngjarje të rëndë për politikë.

"Dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjarët dhe të afërmit e viktimës në Lezhë. Shpreh solidaritetin tim për këtë ngjarje të trishtë që ka ndodhur dje në Lezhë. Në radhë të parë jemi shqiptarë, më pas aleatë politikë apo edhe kundërshtarë politikë. Në rastin konkret duhet të bashkohemi në një kërkesë, të zbardhjes së ngjarjes dhe vënies së autorëve të këtij krimi të shëmtuar para drejtësisë. Lidhur me akuzat e djeshme kam neveri dhe përçmim. Sepse janë të njëjtët njerëz që vëllavrasjen, përçarjen dhe përdorimin e viktimave për qëllime personale, e kanë pasur pjesë të ADN-së së tyre politike këtu e 32 vjet. Ndjej vetëm neveri, por është momenti të ftoj organet ligjzbatuese që të zbardhin ngjarjen dhe autorët të shkojnë para drejtësisë", tha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Pyetje: Prezantuat një projektvendim për objektet shtetërore që u vihet në përdorim objekteve zgjedhore. Ato që sot drejtojnë zyrtarisht PD-në kërkojnë ndihmë nga Qeveria nga ato që po e përdorin. A do të ketë iniciativë që t'i jepet një zgjidhje zyrtare.

Ulsi Manja: Qeveria garanton vetëm të drejtën e partive politike që në tri palë zgjedhjet e fundit kanë marrë mbi 1% të votave të qytetarëve për të t'u pajisur me zyra në nivel qendror dhe vendor. Aty ku nuk ka ambientet publike, Qeveria merr përsipër të paguajë qiranë. Zoti u dhashtë fuqinë të zgjidhin vetë konfliktet që kanë foltorja me vulën, nuk është pjesë dhe as detyrë e Qeverisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos