
Koha e krahut të lirë të punës në Shqipëri duhet të marrë fund. Modeli ekonomik i bazuar te ata që paguhen pak po deformon jetën socio-ekonomike të vendit dhe po nxit emigracionin.
Është ky përfundimi i përbashkët i qeverisë, investitorëve vendas të huaj dhe institucioneve ndërkombëtare i nxjerrë në pah në Forumin e Klimës së Biznesit 2023.
“Modeli i ri ekonomik që ne synojmë të zhvillojmë është ai i kalimit nga avantazhi i krahut të lirë të punës te rritja e aftësive dhe njohurive duke u mbështetur në ridimensionimin total të arsimit profesional”, u shpreh ministrja.
Për të treguar se sa emergjente është nevoja për rritur pagat, kryeministri Edi Rama iu referuar politikave të reja të Gjermanisë për marrjen e punonjësve të huaj.
“Kur Gjermania kërkon 7 milionë njerëz jashtë sistemit të lindshmërisë për të bërë rezistente ekonominë e saj deri në vitin 2030, parafytyroni se çfarë beteje është”, tha Rama.
Ndërkohë ambasadorja e Bashkit Europian në Shqipëri, Christiane Hohmann dhe Presidenti i Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipërisë e lidhën procesin e integrimit të vendit në “union” direkt me nevojën për të përmirësuar klimën e biznesit dhe mbështetjen e burimeve njerëzore.
“E gjitha do t֝ thotë ekonomi dhe klima e biznesit është kryesorja. Pa të ne mund të ndryshojmë gjëra të ndryshme, por jo vendin në tërësi”, u shpreh ambasadorja Hohman.
“Ka shumë potencial, por edhe bllokada për të investuar në Shqipëri. Kryesisht ato lidhen me besueshmërinë në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe eficenca e administratës publike.
Këta elementë ndikojnë te klima e biznesit dhe te produktiviteti i ekonomisë”, deklaroi Alessandro D’oria, Presidenti i Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipërisë.
Forumin e Klimë së Biznesit 2023 i paraprin panairit 2 ditor të punës në kryeqytet. Janë mbi 30 kompani që ofrojnë rreth 1200 vende pune në sektorë të ndryshëm. (A2 Televizion)