
Lëvizja Vetëvendosje është vënë në lëvizje për të respektuar afatin e vendosur nga Presidenti, Hashim Thaçi. Kryetari Albin Kurti mblodhi kryesinë e partisë për të caktuar të nominuarin që do të marrë zyrtarisht mandatin e kryeministrit për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Kjo mbledhje do të vazhdojë dhe nesër, ndërsa Kurti kërkoi që sa më shpejt të takohet me përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të finalizuar marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Sipas prononcimit të një dite më parë, do të jetë pikërisht Albin Kurti i mandatuari i partisë për të drejtuar ekzekutivin e ardhshëm.
Pas takimit të shkurtër konsultues me presidentin Thaçi, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se ai është kryeministri i ri i Kosovës. Madje përpara takimit, prezantoi dhe emrat e 5 ministrave të tij dhe ftoi Lidhjen Demokratike të Kosovës që të bënte të njëjtën gjë. (A2 Televizion)