“Shqipëria duhet të mbledhë mendjen dhe të kuptojë se ka nevojë për një konsensus të madh, si për mënyrën se si krijohet pasuria, si për mënyrën se si çohet përpara ky vend. Pastaj, si harxhohet pasuria është tjetër diskutim. Dikush e takson kështu e dikush e takson ashtu, nuk ka problem. Ama, koha që kemi humbur këto 30 vjet për “inat të sime vjehrre”, është një kohë e bërë shuk, e hedhur tej me përçmim”.
Kështu u shpreh në A2 analisti, Dritan Shano, teksa komentoi aktualitetin politik në vend. Ai theksoi më tej se klasa politike ka nevojë për rinovim.
“Kjo klasë politike duhet të fillojë të rinovohet me llokma të mëdha dhe me shpejtësi. Shumica e problemeve që ne duhet të zgjidhim janë krijuar nga kjo klasë politike që kemi sot dhe do të kemi sërish nesër në parlament. Unë i shoh ata njerëz jo si pjesë të zgjidhjes, por si pjesë të problemit. Shqipëria nuk ka një mekanizëm ku mund të dialogohet politikisht për të mirën e shqiptarëve, një mekanizëm ku mund të bashkëpunohet për të mirën e shqiptarëve, por ama ka mekanizma ku mund të luftohet për interesat politike të partive në kurriz të shqiptarëve. Mund të qëllojë që është e mira e tyre, por zakonisht ka qëlluar e kundërta. Të fillosh këtë gjë duhet të nisësh rinovimin e klasës politike”, u shpreh Shano. (A2 Televizion)