
Sali Berisha e ka quajtur cinik përgëzimin e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, ndaj efektivëve të RENEA-s që ekzekutuan një 62-vjeçar në Maliq, pasi po qëllonte në drejtim të tyre me armë, kur më parë ishte përpjekur të vriste gruan dhe të birin.
Ish-kryeministri e quan “jo bindës” pretendimin se viktima ishte ngujuar në papafingo dhe kishte pasur shkëmbim zjarri.
“Muçollari, i cili vuante nga shëndeti mendor, kishte plagosur më parë gruan dhe djalin me thikë e sende të forta dhe sigurisht ai duhet të dorëzohej. Ai nuk mund të kërcënonte në asnjë rrethanë jetën e policëve. Por cinike dhe kriminale është përgëzimi i Ballës i policëve për vrasjen e tij. Ai plagosi, por nuk mori jetë njeriu. Duke ditur dhe problemet me shëndetin mendor të viktimës durimi më i madh në rrethim duhej treguar, para se të hynin në papafingo dhe të shkrehnin breshëritë mbi trupin e tij”, shkroi Berisha në Facebook.
“Ju uroj shërim të shpejtë gruas dhe djalit të plagosur, dënoj ekzekutimin e tij në rrethana të dyshimta dhe dënoj fort, përgëzimin e Taulant Begos etj., etj., për vrasjen nga policia të një të sëmuri të strukur në papafingon e shtëpisë së tij. i bëj thirrje Avokatit të Popullit të nisë menjëherë hetimin për këtë vrasje të parandalueshme dhe ndaj Ballës që me përgëzimin e tij cinik ekstrem, inkurajon dhe nxit vrasjet nga policia”. (A2 Televizion)