
Në ditët e fundit një sërë aksidentesh me pasoja fatale kanë ndodhur në vend, më i rëndi ai që ndodhi në zonën e Saukut ku tre të rinj humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të lënduar.
I ftuar në “Debat” në A2 CNN, eksperti për çështjet e sigurisë, Fatjon Softa bëri një propozim për parlamentin shqiptar, që sipas tij mund të sjellë uljen e numrit të aksidenteve.
Softa solli një shembull të aplikuar në Italinë fqinje, dhe sipas tij ka dhënë efekte pozitive. Bëhet fjalë për vendosjen e kutive të zeza në automjete. Këto kuti mund të instalohen në pjesë të brendshme të automjeteve dhe mbajnë të dhëna si shpejtësia apo vendndodhja në raste aksidentesh.
“Unë do t’i propozoja parlamentit shqiptar dhe të gjithë atyre që kanë mundësi ndoshta për një periudhë 5 vjeçare, Shqipëria ka nevojë për vendosjen në çdo automjet, të kutisë së zezë,” shprehet Softa.
Në rastin e Italisë, vendosja e kutisë së zezë nuk ishte me detyrim, por për qytetarët që pranojnë ta vendosin ofrohet një ulje prej 13% të shumës që paguhet në një siguracion normal.
“Montohet në një pjesë të brendshme të motorit të automjetit dhe mat shpejtësinë, vendndodhjen, në rastin e aksidenteve përcakton se kush është fajtor...Në momentin që ndodh diçka, vjen mesazhi, ku ndodhi, si ndodhi. Gjeja e parë që evidentohet është vendi ku ka ndodhur, cili është mjeti etj.”
Për Softën, blerja e makinave inteligjente nga autoritetet shqiptare ishte një shpenzim i panevojshëm, më shumë për të mbushur arkat sesa për të disiplinuar qytetarët. (A2 Televizion)