
Italia ashpërson masat në kufi për frenimin e variantit Omicron. Nga dita e enjte të gjithë ata që duan të hyjnë në vend, përfshirë shtetasit e Bashkimit Europian, për të hyrë në Itali duhet të paraqesin një test negativ ndaj koronavirusit.
Sakaq, të pavaksinuarit, pavarësisht testit do të duhet t’i nënshtrohen karantinimit 5-ditor. Deri tani, për shtetasit e BE-së mjaftonte vetëm dëshmia e vaksinimit, shërimit ose testi negative për të hyrë në Itali.
Rregullat e reja do të jenë në fuqi deri më 31 janar. Të njëjtën masë mori më herët edhe Greqia. Franca mbyll dyert për udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuara, por presidenti Emanuel Macron kujdeset ta distancojë veten.
Sakaq, Britania e madhe vijon të thyejë rekorde që eklipsojnë njëri-tjetrin. Numri i dozave të administruar të vaksinës në një ditë arriti në 745 mijë, pikërisht ndërsa raportohej për 90 mijë të infektuar, numri më i lartë që prej shpërthimit të pandemisë.
Gjermania sakaq denoncon mungesën e vaksinave të nevojshme, teksa nxiton të imunizojë popullsinë me dozën e tretë. Ministri i ri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, tha se kishin nevojë për 50 milionë doza për busterat, dhe 20 milionë të tilla për doza të para e të dyta.
Një sërë shtetesh europiane, përfshirë Italinë nisën të mërkurën vaksinimin e fëmijëve 5-11 vjeç. Franca nuk përjashton mundësinë e vaksinimit të detyrueshëm. (A2 Televizion)