
Janari është mbyllur me shifrat më të larta të infektimeve që nga fillimi i pandemisë. Varianti Omicron është bërë dominues dhe sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, 1 në 5 teste rezultojnë pozitiv.
“Kemi një numër të lartë pozitiviteti në testime që ne kryejmë çdo ditë. Kjo tregon që qarkullimi i virusit është i dendur. Pozitiviteti ka arritur deri në 18 përqind”, u shpreh nëndrejtor i ISHP, Dritan Ulqinaku.
Dritan Ulqinaku, numri dy i Institutit të Shëndetit Publik thotë se vijon rritja e infektimeve te fëmijët edhe pse aktualisht nuk është grupmosha më e prekur nga koronavirusi. Por gati gjysma e të prekurve në këtë periudhë janë riinfektime.
Edhe pse Omicron kalohet më lehtë, epidemiologu Ulqinaku bën thirrje për izolimin e personave që kanë edhe shenja të gripit.
Ndërsa pas dy javësh, ekspertët presin dobësim të valës Omicron dhe ulje të infektimeve. Deri tani, nga të dhënat e laboratorit të ISHP nuk kanë konstatuar raste me Flurona, mbivendosje e gripit me koronavirusin. (A2 Televizion)