
Bosnjë-Hercegovina përkujton sot me dhimbje të madhe 27-vjetorin e gjenocidit serb. Mijëra vendas e të huaj, si dhe politikanë të rajonit dhe më gjerë janë të pranishëm në Sarajevë ose kanë dërguar videomesazh për këtë ditë të trishtë.
Eshtrat e 50 viktimave të gjetura së fundmi, do të vendosen në Qendrën Përkujtimore Potoçari, ku prehen mbi 6670 viktima të tjera të masakrës së ushtrisë serbe.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, një zonë e shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara, duke kryer atë që konsiderohet krimi më i rëndë i pas Luftës së Dytë Botërore.
Në pak ditë, serbët vranë dhe masakruan mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë, dhe trupat e tyre i vendosën në varre masive në pyjet përreth Sarajevës.
Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur atë si gjenocid. 47 persona janë dënuar me mbi 700 vite burg për rolet që kanë pasur gjatë masakrës. Mes tyre dhe ish-udhëheqësit e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç. (A2 Televizion)