
Mijëra njerëz kanë dalë në rrugë në Jalalabad për të protestuar kundër heqjes së flamurit kombëtar dhe të zëvendësuar kudo me atë të talebanëve. Të paktën dy persona janë vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në protestën kundër heqjes së flamurit afgan nga talebanët në qytetin lindor të Jalalabad.
Al Jazeera raporton se një pjesë mjaft e madhe e banorëve të Jalalabad po i rezistonin zëvendësimit të flamurit kombëtar të Afganistanit në qytet me flamurin taleban.
Ndërkohë 17 persona u plagosën nga turma në aeroportin e Kabulit, ku mijëra afganë janë mbledhur prej ditësh me shpresën se do të largohen nga vendi: tha një zyrtar i sigurisë së NATO -s.
Avionët që mbanin qindra të evakuuar nga Kabuli kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani, ndërsa vendet perëndimore kanë shtuar përpjekjet për evakuim dhe talebanët premtuan të drejtat e grave, lirinë e medias dhe amnistinë për zyrtarët qeveritarë në Afganistan.
Shtetet e Bashkuara thanë se fluturimet e tyre ushtarake kishin evakuuar 3,200 njerëz nga Kabuli deri më tani, përfshirë 1,100 vetëm të martën.
Në Kabul, talebanët kërkuan të jepnin një ton pajtues në konferencën e tyre të parë për shtyp që nga kapja e kryeqytetit afgan, duke premtuar se do të respektonin të drejtat e grave "brenda kornizës së Islamit" dhe duke shprehur dëshirën për marrëdhënie paqësore me vendet e tjera. (A2 Televizion)