
Shifrat për sa i përket pandemisë duken më së fundmi premtuese në Kosovë, me ulje të rasteve dhe një fushatë vaksinimi të suksesshme.
Por Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, fton për një vëmendje më të lartë tani që po afrojnë zgjedhjet vendore, si dhe tubimet masive që shpeshherë përkthehen në vatra infeksioni.
“Situata rezulton e qetë, por provojmë ta mbajmë situatën nën kontroll dhe të ndërgjegjësojmë publikun për rrezikun që mund të kanoset në vazhdimësi, kemi më pak se 100 pacientë që po kurohen në spitale, dhe disa spitale si ai i Pejës dhe Ferizajt nuk kanë më pacientë me COVID-19. Ajo që na preokupon është situata e procesit politik që ndërthuret me fushatën zgjedhore. Është hera e dytë që mbajmë zgjedhje gjatë pandemisë, por java mbetet kritike për shkak të tubimeve, dhe i bëj apel partive politike të respektojmë masat gjatë tubimeve”, thotë ai për A2 CNN.
Faktorët e uljes se shifrave, sipas tij, kanë qenë disa. “Ndërgjegjësimi nga frika për përmasat dramatike të muajve të mëparshëm, por edhe procesi i shpejtë i vaksinimit, në veçanti në shtator ku janë injektuar mbi 500 mijë doza”, por shton se vëmendja, sipas tij, duhet mbetur i lartë.
Në Shqipëri, leksionet në universitet u shtynë me një javë për shkak të nivelit të ulët të të vaksinuarve, ndërkohë që në Kosovë situata duket ndryshe. “Klasat janë të përgjysmuara deri më tani, por mund të pritet dhe rikthimi i plotë. Studentët kanë treguar gatishmëri për t’u vaksinuar, ashtu si mësuesit e vaksinuar kanë arritur rreth 94% të totalit”, sqaron Hoti që shton se objektivi i madh i qeverisë në Prishtinë është 70% e popullatës të jetë vaksinuar, brenda muajit dhjetor. (A2 Televizion)