Pedagogu Ermal Hasimja, në një lidhje direkte me studion e “Debat”, nga Alba Alishani, në A2 CNN, u shpreh se pyetësori i prezantuar nga kryeministri Edi Rama për qytetarët shqiptarë i duket “një përpjekje për të hapur debate anësore, me qëllim eklipsimin e skandaleve të vazhdueshme”.
“Me shumë gjasa, qytetarët që nuk janë dakord me qeverinë, nuk e plotësojnë fare këtë formular. Një pjesë mund të tallen apo të shajnë. Kështu që, të vetmit që do ta plotësojnë këtë pyetësor do të jenë mbështetësit e Partisë Socialiste dhe nuk do të ketë asnjë lloj kuptimi. Nga ana tjetër, nëse qeveria kërkon mendimin e qytetarëve, mund të përdorë kompani sondazhesh”, theksoi Hasimja.
“Ky pyetësor më duket më tepër si një përpjekje për të hapur debate anësore, si kanabisi, për të eklipsuar skandalet e vazhdueshme. Si dhe ka funksionin për t’u dhënë përshtypjen njerëzve që qeveria po u merr mendim. Qeveria e ka treguar që kur ka dashur të bëjë diçka e ka bërë, në mungesë të plotë transparence. Ky lloj puritanizmi në dëgjimin e opinionit të qytetarëve, më duket komplet artificial”, shtoi Hasimja.
“Nga pikëpamja e interesit të qytetarit, nuk ka asnjë lloj vlere”, nënvizoi Hasimja. (A2 Televizion)