Përplasja Kurti-Rama dhe dështimi i takimit, Fuga: Dy liderët duhet të kapërcejnë veten

Nga A2 CNN
7 Korrik 2023, 22:10 | Politikë
Përplasja Kurti-Rama dhe dështimi i takimit, Fuga: Dy liderët

Kritik ka qenë akademiku Artan Fuga ndaj kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti të cilët në javët e fundit kanë ashpërsuar retorikën ndaj njëri-tjetrit, gjë që çoi në refuzimin e kryeministrit të Kosovës për të takuar kreun e qeverisë shqiptare gjatë turit të tij në Prishtinë dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Akademiku nuk ishte dakord me vendimin e Ramës për të anuluar mbledhjen e dy qeverive, por as me qëndrimin e Kurtit që nuk pranoi takimin ku mund të sheshonin mosmarrëveshjet.

“E konsideroj të tepër që dy kryeministrat e kanë kaq të vështirë të takohen. Për mua duhet të takohen përditë. Nuk e kuptova përse u anulua takimi i parë ai i dy qeverive. Nuk është mirë që një mbledhje të planifikuar të gjesh një pretekst që të mos e bësh. Nuk ishte një zgjidhje e mirë. Për çfarë u bë për t’u rreshtuar me disa penalitete, me partnerët tanë. Takimet janë për të diskutuar diferencat. Një takim bëhet që të sheshohen gjërat. Mbasi përfundoi kjo gjë Rama ndërmerr turin. Unë nuk e di përse e bën e çfarë kuptimi ka. Thotë do shkoj në Kosovë dhe thotë Kurti si vjehrra me nusen, ti s’më erdhe për qokë në dasmë, unë nuk të vij në fejesën e çunit. Tani ai po vjen”, tha Artan Fuga.

Më tej, akademiku kishte dhe një këshillë për të dy liderët, por sidomos për atë të Kosovës, që të kapërcejnë veten pasi në detyrën që kanë përfaqësojnë një popull të tërë.

“Nuk hyn Kanuni këtu. Kush është hasmi këtu. Ku është bajraku këtu. Janë gjëra që nuk shkojnë. Nuk ka hasëm këtu. Kurti duhet të kapërcente veten. Nuk je në emër të vetës, por të popullit të Kosovës. Nëse nuk e kapërcen veten tënde, mos e merr atë detyrë. Mund të jetë fyer, mund të jetë konsideruar i shpërfillur kur nuk i vajtën shqiptarët. Rama shkon atje dhe takon presidenten dhe kryetarin e parlamentit. Vazhdon kjo më mesazhet, po nuk më takove ti, unë takoj këta”, përfundoi Fuga. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos