
Në ditën e dytë të turit ballkanik, kryeministri Edi Rama u ndal në Malin e Zi ku u prit nga homologu Dritan Abazoviç. Por fokusi në konferencën e përbashkët ishte te çfarë ndodhi një ditë më parë në Prishtinë, ku Albin Kurti refuzoi takimin me Ramën.
“Nuk shkova për t’u martuar, nuk ndjehem i fyer si dhëndër që nusja nuk i erdhi. Asnjë problem personal, institucional, me kryeministrin e Kosovës. Vetëm qëndrime të kundërta me një situatë të caktuar”, tha Rama.
Ndonëse Kurti nuk e takoi, Rama tregoi se për të nuk do të ketë asnjë masë ndëshkuese, duke theksuar se është i mirëseardhur në Shqipëri.
“Në Tiranë, Kurti është në shtëpinë e vet, madje mund të futet në zgjedhje të bëhet i zoti i shtëpisë. Kam për detyrë ta ftoj, jo ta sjell. Larg qoftë ta kidnapoj. Ja kam bërë të qartë Brukselit që pa Kurtin s’ka takim, por nuk e di nëse ai do të vijë”, shtoi Rama.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç i bëri gjithashtu thirrje Prishtinës zyrtare të shmangë konfliktin me ndërkombëtarët.
A2 CNN pyeti Ramën nëse drafti i Tiranës për asociacionin prek interesat kombëtare pasi përmban elementë të autonomisë territoriale, pretendim ky i ngritur nga kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, por Rama mohoi të ketë pasur bisedime për këtë çështje.
“Glauku nuk e ka parë draftin, flet si zëdhënës i Kurtit”, tha Rama.
Para Malit të Zi, Rama ishte në Bosnje-Hercegovinë, ku njoftoi se Shqipëria do të rihapë ambasadën e saj në Sarajavë dhe i kërkoi autoriteteve vendase të miratojnë marrëveshjen që mundëson lëvizjen e lirë me karta identiteti për qytetarët e Kosovës. (A2 Televizion)