
Veprimet e policisë të hënën në mbështetje të përmbaruesve privatë kundër anëtarëve të 3 familjeve, nuk do të kalojnë vetëm me shkarkimin e drejtorit të policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme, por edhe drejtoria e standardeve profesionale ka nisur verifikimin e veprimeve policore në terren, të cilat shkaktuan edhe indinjatën e opinionit. Hetimi administrativ do të fokusohet nëse ka patur tejkalim të kompetencave nga ana e uniformave blu në shoqërimin e disa anëtarëve të familjeve në sy të fëmijëve të tyre, por edhe mosveprimi ndaj shkelmimeve të derës që bënin punonjësit e përmbarimit.
Për përplasjet e një dite më parë efektivja e policisë, Blerta Dervishi, e cila u gjend përballë kolegëve të saj u pezullua nga detyra. Veç kësaj, ajo ka marre dhe vërejtje për pengim të ushtrimit të detyrës.
Veprimet e policisë me banorët e 2 shtëpive në rrugën “Sami Frashëri” u kritikuan ashpër edhe nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili shkruajti në rrjetet sociale se nuk ishin aspak dinjitoze dhe efikase.
Përfaqësuesit ligjorë të banorëve kallëzuan penalisht përmbaruesit, por edhe efektivët e komisariatit numër 2, të cilët, sipas tyre, ushtruan dhunë. (A2 Televizion)