
Parlamenti Europian do të padisë Komisionin Europian për dështimin në implementimin e një mekanizmi që pezullon fondet e BE-së, për shtetet anëtare që shkelin ligjin e përbashkët. Njoftimi vjen pak pasi Gjykata Kushtetuese e Polonisë vendosi t’i japë përparësi ligjeve kombëtare, në vend të legjislacionit të BE-së.
Edhe pse Polonia nuk përmendet specifikisht, deklarata e kreut të Parlamentit Europian David Sassoli, u publikua një ditë pasi presidentja e komisionit, Ursula von der Leyen, u përplas me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki, lidhur me sundimin e ligjit, gjatë një debati me europarlamentarët.
“Shtetet anëtare që shkelin sundimin e ligjit nuk duhet të marrin fonde nga BE-ja. Vitin e kaluar, parlamenti lufoi ashpër për një mekanizëm që do ta mundësonte këtë. Megjithatë, deri më tani, Komisioni Europian ka hezituar ta përdorë. Parlamenti po përgatit një padi kundër Komisionit për të siguruar që rregullat e BE të zbatohen si duhet”, deklaroi David Sassoli.
Mekanizmi, i prezantuar në fillim të vitit, lejon pezullimin e fondeve të BE-së për shtetet anëtare që shkelin ligjin e përbashkët. Ai u kundërshtua ashpër nga Polonia dhe Hungaria, të cilat sfiduan mekanizmin në Gjykatën Europiane të drejtësisë. Por mekanizmi nuk është përdorur ende nga komsioni, pavarësisht deklaratës së Von der Leyen të martën, se vendimi i gjykatës polake nuk do të mbetet pa një përgjigje.
Parlamenti tha se do të tërhiqte procedurat ligjore, nëse komsioni do të ndërmarrë masat e nevojshme. (A2 Televizion)