
Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin tha se do të niste një hetim për përplasjet që shpërthyen në orët e vona të së hënës, pasi policia pastroi një kamp të ri emigrantësh në Sheshin Republika në Paris, duke shtuar se imazhet e përleshjeve ishin "tronditëse".
Njerëzit postuan foto dhe video në mediat sociale të policisë që godiste protestuesit, ndërsa ata u zhvendosën për të pastruar sheshin nga çadrat e emigrantëve, për të cilat policia tha se ishin vendosur pa leje zyrtare.
"Disa nga imazhet e shpërndarjes së kampit të paligjshëm të emigrantëve në Sheshin Republika janë tronditëse," shkroi Darmanin në Twitter në orët e para të së martës, duke shtuar se ai po kërkonte një raport të plotë për incidentin.
Kampi i emigrantëve në “Place de la Republique” u shfaq vetëm një javë pasi policia kishte pastruar një kamp më të madh, të paligjshëm të emigrantëve pranë stadiumit kombëtar francez të sporteve.
Franca u është bashkuar shteteve të tjera evropiane, si Italia dhe Britania, në marrjen e një qëndrimi më të ashpër ndaj emigrantëve, që kur shpërthimi i konfliktit në Siri në 2011 shkaktoi një krizë emigrantësh në të gjithë Evropën.
Sondazhet e opinioneve tregojnë se votuesit janë të shqetësuar për çështjen e migracionit, që nga ana tjetër ka nxitur mbështetjen për udhëheqësen e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, e cila ka të ngjarë të jetë kundërshtarja kryesore e presidentit Emmanuel Macron në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në 2022. (A2 Televizion)