
Duka i Kembrixh, William ka uruar personalisht kërkuesit e Universitetit të Oksfordit, pas të dhënave të publikuara se vaksina e tyre anti-Covid ishte shumë efektive.
Përmes një videokonference, princi iu tha atyre se ishte shumë i lumtur për këtë arritje.
“E pashë në fytyrën e gjithsecilit prej jush në qershor se sa shumë kohë dhe përpjekje duhej për këtë sfidë dhe e dallova se kishte shumë presion tek të gjithë, kështu që jam shumë i emocionuar që ju ia dolët”, u shpreh William.
Duka e kishte vizituar dhe më herët ekipin e kërkuesve të vaksinës në verë, për të mësuar më shumë rreth punës së tyre.
Në telefonatën e sotme me anëtarin e familjes mbretërore ishin profesori i Pediatrisë dhe Imunitetit, Andy Pollard, profesorja e vaksinologjisë, Sarah Gilbert dhe zv.kancelarja e Universitetit, Louise Richardson. (A2 Televizion)