
Oborri i Parlamentit u kthye në skenën ku përçarja e demokratëve, thelluar në mbledhjen e Kryesisë pak ditë më parë, tashmë u shfaq hapur.
Në lojë hyri edhe Lulzim Basha që deri më sot kishte tentuar të qëndronte në distancë duke vepruar përmes të tjerëve. Ish-kreu i PD-së mohoi të ketë pasur presione në vendimin e Kryesisë që i hap rrugën rikthimit të tij si kryetar, duke minimuar situatën.
“Cila dhunë? Ka pasur episoide emocionale...,” u shpreh ai.
Basha nuk konfirmoi kandidimin më 29 Korrik, por garantoi se do të marrë vendimin e duhur për të mirën e demokratëve, në momentin e përshtatshëm.
“Oligarkët, Rama dhe Berisha janë në tavë janë bashkë”.
I pyetur për rikthimin e Lulzim Bashës, shkurt u përgjigj Sali Berisha.
“Historia me pengje të Edi Ramës është histori e arkivuar për opozitën dhe shqiptarët e lirë”.
Dikur bashkëpunëtorë të afërt, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi tashmë kanë kaluar te replikat publike.
“Nuk ka pasur dhunë, janë qëndrime emocionale. Nuk ka pasur kërcënime ndaj anëtarëve”, tha Alibeaj.
“Të dhunosh verbalisht, të shantazhosh apo të fyesh deputetët të kuvendit, anëtarë të PD-së, të kryesisë se kanë mendim ndryshe, është një sjellje prej grupimi paramilitar, jo sjelle një parti demokratike. S’ka qenë emocional, edhe pse qëndrimet emocionale kur janë të vërteta s’ka asgjë të keqe. Qëndrimi im ka qenë parimor, kam dënuar dhunën verbale për shkak të një qëndrimi ndryshe, kur është kryer nga zoti Berisha, do dënoj dhunën verbale, shantazhet, dhunën ndaj gazetarëve edhe kur vijën nga anëtarë të PD-së apo jo anëtarë, të cilët deri në këtë moment kanë menduar njësoj si unë”, deklaroi Bardhi.
Situatën në të cilën ndodhet PD-ja, e përmblodhi qartë Ervin Salianji, teksa pranoi se të ardhmen e shihte të zymtë.
“Nuk ka më anëtarë, ka më shumë pretendentë për kryetar partie. Kërkon të rikthehet ish-kryetari aty s’ka njerëz, por ka para sa që ato ju interesojnë aq shumë saqë nuk i ndanë as për zgjedhjet”.
Edhe deputetë të tjerë të PD-së kërkuan bashkimin e demokratëve duke nisur me hapjen e partisë për afrimin e figurave të reja. (A2 Televizion)