
Kreu i Rithemelimit e ka cilësuar një vendim të kontrolluar atë të kolegjit zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve në Rrogozhinë.
Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Sali Berisha theksoi se ajo që rezultonte me probleme ishte kutia e burgut të Rrogozhinës, por në fakt u shpall e gjithë zona e pavlefshme.
A ka logjikë njerëzore të dënosh 10 mijë, 15 mijë, sa mund të jenë zgjedhësit e Rrogozhinës, për manipulimin? Në vend që gjykata të kërkonte dënimin si kriminel elektoral të Ulsi Manjës, Erion Veliajt dhe drejtorit të burgut të Rrogozhinës, që stisën qendrën e votimit në burg për të ndryshuar rezultatin. Skandaloz është votimi i dokumentuar në Kuçovë. Ju do shihni aty të gjithë mekanizmat e manipulimit të votës brenda qendrës së votimit. Ju do shihni përpjekjet për të fshehur nga KAS këto mekanizma. Kështu janë pjesa dërrmuese e të gjitha bashkive për të cilat janë paraqitur ankesat. Pra, edhe njëherë më 14 maj nuk kishte zgjedhje, por farsë zgjedhore.
Sali Berisha, konferenca me gazetarët
Kujtojmë se në Rrogozhinë do të përsëriten sërish zgjedhjet për kryetarin e bashkisë pas një vendimi të marrë të enjten nga Kolegji Zgjedhor.
Përfaqësuesit ligjorë të dyshes Berisha-Meta kundërshtuan rezultatin e 14 majit, kur u shpall fitues Edison Memolla, kandidati i PS-së, me argumentin se kutia e fundit që i dha fitoren atij ishin votat e të burgosurve.
Sipas kolegjit, zgjedhjet për Rrogozhinën duhet të organizohen brenda 4 javëve në vijim. Përveç Rrogozhinës, Kolegji mori vendim edhe për ankimimin e “BF” për bashkinë e Belshit duke e rrëzuar kërkesën. (A2 Televizion)