
Situata e krijuar në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, detyroi kryeministrin Albin Kurti të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, mbrëmjen e së shtunës.
Siç bëri të ditur qeveria e Kosovës përmes një deklarate, Këshilli diskutoi për koordinimin e mëtejshëm të veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend.
“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovë”.
Pas takimit, kryeministri Kurti tha në një postim në rrjetin social Facebook se në bllokimet e rrugëve magjistrale po marrin pjesë individë që sipas tij njihen për veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste.
Kurti ka postuar edhe përshkrime dhe fotografi të dy prej tyre.
Të shtunën, ju vu zjarri qendrës së regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok, ndërsa u sulmua edhe qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve paraprake aty janë hedhur dy bomba dore, të cilat nuk kanë shpërthyer.
Disa media në Serbi kanë raportuar edhe lëvizje të tankeve drejt kufirit me Kosovën, por ushtria serbe nuk është deklaruar zyrtarisht për këtë çështje. Po ashtu, helikopterë nga Serbia kanë fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovës, duke u përshëndetur me duartrokitje nga protestuesit në veri të Kosovës.
Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërpreu vizitën në Shtetet e Bashkuara për t’u rikthyer në vend. Më herët, ajo e kishte cilësuar Serbinë si burimin kryesor të destabilitetit në rajon, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtarë të veprojë.
Po ashtu kreu i partisë opozitare AAK, Ramush Haradinaj i ofroi mbështetje qeverisë dhe policisë për situatën në veri duke thënë se ajo që po ndodh është papranueshme. Për Lumir Abdixhikun, situata në veri kërkon unitet të plotë. (A2 Televizion)