
Një 38-vjeçar, i identifikuar si Elton Rushi, ka rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi nga persona të ndryshëm ka përvetësuar automjete, të cilat më pas i shiste nëpërmjet kontratave noteriale false.
Në kërkim është shpallur dhe bashkëpunëtori i tij.
“Tiranë/ Finalizohet si rezultat i një hetimi disamujor, operacioni policor i koduar "Mekanizmi". Përvetësonin automjete të shtetasve të ndryshëm, duke i mashtruar ata, dhe më pas i shisnin këto automjete nëpërmjet kontratave noteriale false, vihet në pranga 38-vjeçari dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, si rezultat i provave të siguruara nga një hetim disamujor, i ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Mekanizmi".
Si rezultat i këtij operacioni, u bë ekzekutimi i masës së sigurisë "Arrest në burg", caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin: E. Rr., 38 vjeç, banues në Fier, për veprat penale "Mashtrimi" dhe "Falsifikimi i dokumenteve".
Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i 38-vjeçarit, shtetasi B. B., 35 vjeç. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përvetësonin me anë të mashtrimit, automjete të shtetasve të ndryshëm, dhe më pas i shisnin këto automjete nëpërmjet kontratave noteriale të falsifikuara.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua një automjet i përvetësuar me anë të mashtrimit. Vijon puna për kapjen e shtetasit B. B., si dhe për identifikimin e kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.” (A2 Televizion)
Njoftimi i Policisë së Tiranës