Peticion për rikthimin e dënimit me vdekje, pas vrasjes së 8-vjeçarit në Fier

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2021, 12:33 | Aktualitet
Peticion për rikthimin e dënimit me vdekje, pas vrasjes së

Disa dhjetëra banorë të Fierit janë mbledhur në qendër të qytetit për të firmosur një peticion për rikthimin e dënimit me vdekje. Ata kërkojnë dënimin kapital për Klodian Çalamanin, autorin e dyshuar të vrasjes së Mateo Vasiut.

Babai i 8-vjeçarit, trupi i pajetë i të cilit u gjet në oborrin e shtëpisë së Çalamanit, qëndronte në qendër të qytetit me bashkëshorten. I tronditur, ai kërkon drejtësi për të birin. “Ta sjellin këtu ta varin, ta shikoj me sytë e mi dhe nuk jam i ngopur... Të mblidhen për fëmijët e vet. Të ma sjellin këtu”, tha ai për gazetarët.

Edhe banorë të tjerë të qytetit, të mbledhur në sheshin kryesor, kërkojnë dënimin me vdekje për 38-vjeçarin, i cili e ka pranuar kryerjen e krimit makabër pasi është marrë në pyetje nga Policia.

“Këta njerëz duhen varur. Të varet njëri këtu që të marrin frikë dhe të mos vriten njerëzit. Kemi nipër e mbesa, kemi frikë t’i nxjerrim te dera”, tha një e moshuar. “Po të isha unë në vend të tij o Zot çdo të bëja... Shumë poshtërsi e madhe, edhe për Fierin. Ligjin e bëjnë ata atje, atë që do populli. Kur t’u shkojë në shtëpinë e tyre do ta marrin vesh, sepse nuk do të jenë përherë ministra e kryeministra”, tha një burrë.

https://a2news.com/2021/11/18/familjaret-e-8-vjecarit-te-vrare-u-futen-me-force-ne-gjykaten-e-fierit-seanca-mund-te-zhvendoset/

Paradite, familjarët e 8-vjeçarit të vrarë mësynë në godinën e Gjykatës së Fierit, në kërkim të Çalamanit. Me thirrjet për drejtësi, ata kanë tentuar të shkojnë drejt sallës ku ishte planifikuar masa e sigurisë. Më pas, me ndërhyrjen e forcave të rendit, familjarët janë nxjerrë jashtë ambienteve, ndërsa kanë kërkuar mbështetjen edhe të qytetarëve për të vënë në vend drejtësinë.

Ende nuk dihet nëse pas situatës së krijuar do të mbahet masa e sigurisë në Gjykatën e Fierit ndaj 38-vjeçarit, apo do të shtyhet dhe zhvendoset në një tjetër gjykatë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos