Petrit Çarkaxhiu, edhe në Jericho

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2020, 16:43 | Aktualitet
Petrit Çarkaxhiu, edhe në Jericho

Ishte nëntori i vitit 1912, kur trojet shqiptare u ndanë, shqiptarët e Kosovës mbetën jashtë shtëpisë. Thuajse 100 vite më vonë një i ri shkruan disa vargje për këtë nëntor, një i ri që kaloi rrugëve të minuara nga lufta në vendin e tij, një i ri që erdhi të studionte në Tiranë, në tokën të cilën dukej se e njihte nga rrëfenjat e të parëve.

Atë nëntor, Petrit Çarkaxhiu e quan të ftohtë. Thuajse asnjë nuk e njihte me emrin e tij, të gjithë e njihnin si Rusta i Jericho, ose thjesht Jericho, njëlloj si banda që nisi të interpretonte muzikë rrok, por që krijonte jo vetëm rrok.

Këngët e tyre kishin një lidhje me tingujt e muzikës gege, me nota folklorike, me tekste politike, kryengritëse e revolucionare, shumë shpejt Jericho u identifikua si banda që bënte rrok gegë, por që ishte zëri i shumë të rinjve të Kosovës, që edhe pse të lirë nuk e gjenin veten në politikën e këtij vendi të ri apo në përfaqësimin e tyre me simbolet e reja.

Revolta ishte e madhe në tekste e tyre, ndaj edhe shumë shpejt Jericho u njoh si një revolucion në skenën e performancave live. Të njëjtin impakt pati edhe në Shqipëri, ku fillimisht dalluan në performancën e tyre në Top Fest, e më pas në netët live që ndanin mes Tiranës dhe Prishtinës.

“Jam shumë i lidhur me Shqipërinë, sidomos me Tiranën. Një prej arsyeve është se edhe shkollën e mesme e kam bërë këtu, në vitet 1990. Por, edhe për shkak të aktivitete me koncerte, kam qenë mjaft prezent, kam shumë shoqëri dhe sidomos në verë mezi presim të ikim me detin”, thotë Petriti.

Kjo lidhje shpirtërore me Kosovën ku ka lindur dhe Shqipërinë me të cilën është rritur, këto kohë është bërë edhe më e fortë. Për shkak të një impenjimi tjetër me studime pasuniversitare, Petrit Çarkaxhiu këto kohë jeton në Stamboll. Nga aty periudha e pandemisë është më vetmitare dhe thërret më shumë përmallimin, por largësitë dhe izolimi nuk e ka penguar të shkruaj këngë të tjera.

Vetëm gjatë kësaj periudhe, Petrit Çarkaxhiu i ka prezantuar publikut tri këngë të reja. Por, në të trija këto produksione të reja muzikore, Petrit Çarkaxhiun e kemi parë vetëm, jo njëlloj si dikur, ndonëse vijojnë ende ta thërrasin Jericho. Në bisedën me të shtyhemi ta pyesim për largimin nga jeta të njërit prej anëtarëve të bandës dhe sa ka ndikuar kjo gjë edhe në produksionet e reja të Petritit, produksione që janë solo. Por, grupi Jericho nuk është ndarë. Madje, nga një bandë e cila njihej për kombinimin e muzikës rrok me gegnishten si motiv, Petriti zbulon për A2 se ata kanë projekte të reja. “Paralelisht po punojmë me një bandë tjetër për këngë të reja, një projekt rrok, i cili nuk është pjesë e Jericho, dhe as e projektit solo”, tregon Çarkaxhiu.

Zakonisht i shkruan tekstet e këngëve vetë. Në këngën "Ëndërr e prerë" keni disa vargje të Dritëro Agollit, ndër këngët e fundit keni një tekst sa filozofik, aq edhe të ndërthurur me besimin fetar, sa të mbushur me dashuri, po aq edhe me dhimbje. Filozofi, fe, arkitekturë, udhëtim? Si erdhi ky tekst që unë e konsideroj sot si një ndër më të mirë që i bashkëngjiten notave muzikore? Është vërtet një poezi e bukur, me dhe pa muzikë. “Jemi të gjithë një miks i identiteve të ndryshme kulturore dhe fetare, nacionale. Publiku e kupton këtë. Në momentin që një artist është i sinqertë në punën e tij, njerëzit e kapin, më tepër edhe me intuitë. Njerëzit i dëgjojnë me vëmendje, i analizojnë tekstet, i diskutojnë”, thotë Çarkaxhiu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos