Sensualitet, takime, dhe tradhti, njëlloj si njeriu që sot qëndron pezull në një botë kaotike ku dashuria dhe dëshira për të jetuar është gjithkund e shpeshherë nuk e shohim.
Të tilla ndjesi shprehin tablotë e Blerta Xhomos, të ekspozuara nga kjo e martë në galerinë e Universitetit të Arteve.
Myrtezai, pedagog për artet vizuale, njëkohësisht edhe kuratori i kësaj ekspozite rrëfen se kjo ekspozitë është edhe një udhëtim i ndarë në dy pjesë ku dilema artistike kush udhëheq e kush lufton është një kërkim më vete.

“Blerta Xhomo përdor ngjyrat e mbrëmjes, ato të errëtat, për të rrëfyer një gjendje mendimi dhe reflektimi, pikërisht atë gjendje që njeriun e lë pezull, mes atyre që kanë ndodhur dhe asaj lëvizjeje që pritet të ndodhë”, tha kuratori Vladimir Myrtezai.
Vetë autorja e këtyre veprave i fton të gjithë të eksplorojnë këtë botë, pa shumë fjalë. Ekspozita e artistes Xhomo e pret publikun në galerinë FAB deri më 16 janar. (A2 Televizion)