Pezullohen Izmir Smajlaj dhe drejtuesit e federatës, kampioni i atletikës reagon për A2 CNN

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2022, 18:20 | Sporte të tjera
Pezullohen Izmir Smajlaj dhe drejtuesit e federatës, kampioni i

Unioni i Integritetit të Atletikës ka pezulluar kampionin shqiptar, Izmir Smajlaj, presidentin e Federatës Gjergj Ruli dhe sekretarin e saj Nikolin Dionisi, pasi i akuzon për shkelje të kodit të sjelljes dhe integritetit.

Vendimi është marrë pas një hetimi njëvjeçar, ku, sipas AIU, janë manipuluar rezultatet nëpër kompeticionet e kërcimit së gjati ku Smajlaj ka marrë pjesë, për të mundësuar kualifikimin e tij në Lojërat Olimpike të Tokios në vitin 2020. Secili prej tyre është pezulluar në pritje të vendimit që do të merret nga Tribunali Disiplinor.

Akuzat ngrihen për manipulim të rezultateve të një kompeticioni të zhvilluar në Tiranë më 8 maj 2021, ku Smajlaj kërceu mbi 8,16 metra, rezultat që dyshohet se është falsifikuar.

Në një reagim për A2 CNN, Smajlaj tha se do ta dërgonte vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, ku ka afat deri në datën 23 dhjetor. Më herët, Smajlaj reagoi në rrjetet sociale lidhur me vendimin, duke e quajtur lajm të rremë. “Jam në proces gjyqësor me AIU prej një viti, për dëmtim imazhi si dhe për faktin që unë nuk kam mashtruar me mundin e vullnetin e sportit që përfaqësoj, ndaj kërkoj prej jush, heshtjen, respektin e mirëkuptimin tuaj deri në përfundim të këtyre seancave ku po kërkohet pafajësia ime në këtë vorbull akuzash të rënda e të pavërteta”, shkroi Smajlaj në llogarinë e tij në Facebook. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos