
Milani arrin një fitore të bujshme në fushën e një nga ekipet më në formë të Serie A, Atalanta, dhe i afrohet me hapa të sigurta kualifikimit në Champions League.
Zikaltrit e Bergamos krijuan iluzionin se mund të fitonin sfidën për vendin e katërt kur Remo Freuler arriti të shënojë në pjesën e parë, pas një aksioni të bukur të sllovenit Ilicic në minutën 33.
Por pikërisht kur pjesa e parë po mbaronte, një gol i bomberit polak Piatek i dha barazimin “djajve” milanez.
Dhe kur mendohej për një reagim të furishëm të Atalantës, pjesa e dytë pothuajse u dominua nga djemtë Gattusos, të cilët gjetën avantazhin me një gjuajtje nga jashtë të turkut Calhanoglu dhe qetësojnë lojën me golin e dytë të Piatek, falë edhe një dalje jo mirë të llogaritur të portierit shqiptar Berisha.
Milani me fitoren ndaj Atalantës shkon në kuotën e 42 pikëve, një më pak se Interi i vendit të tretë. (A2 Televizion)