Pioli kërkon përforcime, Milan në sulm për Kamada, Openda dhe Loftus-Cheek

Nga A2 CNN
29 Maj 2023, 18:29 | Sporte të tjera
Pioli kërkon përforcime, Milan në sulm për Kamada, Openda

Fitorja ndaj Juventusit i dha Milanit kualifikimin në edicionin e ri të Ligës së Kampionëve e bashkë me të një thesar prej 50 milionë eurosh, me të cilin do të forcojnë skuadrën.

Pa u shuar ende emocionet e ndeshjes së mbrëmshme, Stefano Pioli i ka dërguar Maldinit dhe Massara një mesazh të qartë duke kërkuar të mos gabojnë me fushatën e transferimeve siç bënë vitin e kaluar dhe t’i plotësojnë kërkesat.

Milani sipas tij ka nevojë për përforcime sidomos në mesfushë dhe në sulm dhe emrat e parë që po përfliten janë ato të Openda, Kamada dhe Ruben Loftus-Cheek.

"Nëse duam të përpiqemi për të fituar kampionatin dhe të luftojmë në Ligën e Kampionëve duke përfunduar në top katërshe si këtë vit, skuadra duhet të përmirësohet”, apeloi trajneri kuqezi.

Me largimet praktikisht të sigurta të Ibrës, Rebiç dhe Origit, prioritet është përforcimi i sulmit

Giroud  vazhdon të shënojë gola të rëndësishëm dhe do të jetë një element kryesor për Milanin edhe sezonin e ardhshëm, por ai do të mbushë 37 vjeç në shtator. Emri i  Lois Openda nga Lens mbetet i nxehtë, por nuk është i vetmi në listë pasi pëlqehen edhe Morata, Arnautovic dhe Scamacca.

Klubi francez ka pranuar oferta prej së premtes dhe çmimi për Openda vërtitet nga 30 në 35 milionë euro.

Sa i përket mesfushës, Milani duket se ka në duar Daichi Kamada, mesfushorin sulmues 27-vjeçar që do të lërë Eintracht Frankfurt në fund të sezonit.

Marrëveshja me lojtarin tashmë është gjetur për një kontratë 5 vjeçare dhe janë planifikuar vizitat mjekësore sapo të përfundojë kampionati.

Lëndimi i rëndë i Bennacer dhe lamtumirat e Bakayoko dhe Vranckx, hapin dyert në Milanello edhe për Ruben Loftus-Cheek. Mesfushori anglez do të përfundojë kontratën me Chelsean në vitin 2024 dhe teksa u zëvendësua në sfidën përballë Newcastle përshëndeti tifozët në atë që dukej të ishte një gjest lamtumire.

Londinezët kërkojnë për të 20 milionë euro, shifër që kuqezinjtë shpresojnë ta ulin sadopak. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos