Pjesëmarrja e konsiderueshme e qytetarëve në votime deri në orën 14:00 është përgjigjja më e mirë që qytetarët i kanë dhënë politikës. Këtë mendim ndanë në studion e A2 CNN analistët Edlira Gjoni dhe Gjergji Vurmo. Sipas tyre, pjesëmarrja e lartë në votime është një lajm shumë i mirë. Gjoni thekson se në momente kur ka nevojë për rrotacion, qytetarët zgjedhin të reagojnë, por sipas saj ka ndikuar edhe apeli i të gjitha forcave politike dhe jopolitike.
“Ka funksionuar apeli i të gjitha forcave politike dhe jopolitike. Është bërë thirrje e përsëritur, më vjen mirë që është pjesëmarrje kaq e lartë. Vlora renditet në qarqet që voton në numrin më të ulët. Siç tregojnë studimet politike në të gjithë botën, në momentet kur ka nevojë për rrotacion ata që nuk kanë votuar zgjedhin të reagojnë dhe si një frustim i qytetarëve, ky është momenti i fuqisë që kanë qytetarët në 4 vite”.
Për Gjergji Vurmon në këto zgjedhje do të jetë përgjigjja më e mirë e qytetarëve.
“Jemi në një pikë kur kemi një aktor politik, i cili ka qenë për dy mandate rresht në pushtet, por edhe zgjedhjet e fundit parlamentare kanë pasur një lloj lodhjeje e nga qytetarët që refuzuan të dalin më 30 qershor. Besoj që përgjigjja më e fortë e qytetarëve ndaj politikës do jetë në këto zgjedhje. Mund të jetë edhe më e lartë se viti 2013 kur ndodhi rrotacioni politik. Si do që të jenë rezultatet e zgjedhjeve fakti që ka kaq shumë qytetarë që hedhin votën është lajm shumë i mirë.
Por për gazetarin Aristir Lumezi ka pasur një orientim të votuesve nga Partia Socialiste për të votuar deri në orën 12: 00, pasi ka pasur skenarë për bllokim. Sipas tij, pjesëmarrja e lartë nuk është rastësi.
“Ka pasur një orientim të votuesve nga PS-ja. Priteshin disa skenarë për të bllokuar, janë orientuar votuesit e sigurt që të shkonin në votime deri në 12. Nuk është e rastësishme, por nuk e di si do shkojë deri në 19. Fluksi më i madh ka shkuar. Pashë qytetari të votuesve, s’kishte asnjë lloj tensioni, edhe pse kishte radhë. Qytetarët nuk shprehnin asnjë lloj zemërimi e pakënaqësie, ishin të qetë dhe të urtë”. (A2 Televizion)