Zgjedhjet parlamentare, katër parti politike garojnë për herë të parë

Nga A2 CNN
25 Prill 2021, 15:02 | Politikë
Zgjedhjet parlamentare, katër parti politike garojnë për

Në zgjedhjet e 25 prillit, fronti opozitar vjen i fragmentarizuar. Përpos koalicionit të Partisë Demokratike me aleatët e saj dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, tabloja plotësohet nga parti që garojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare.

Disa nga të pakënaqurit që u larguan nga Partia Demokratike në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 pasi nuk u përfshin në lista, tashmë kanë zgjedhur të garojnë nën logot e tyre. Astrit Patozi garon në qarkun e Tiranës si Kryetar i partisë "Bindja Demokratike". Jozefina Topalli është një tjetër ish i demokratëve që tashmë garon në logon e Lëvizjes për Ndryshim. Topalli kryeson listën në Shkodër, Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Lëvizja Demokratike Shqiptare e deputetit Myslim Murrizi merr pjesë gjithashtu për herë të parë në zgjedhje.

Nisma Thurje është një tjetër parti e krijuar së fundmi dhe do të masë forcën e saj për herë të parë, me shpresën se do të arrijë të mbledhë të pakënaqurit me forcat kryesore të politikës. Aktivisti Pano Soko dhe kryetari i kësaj force, Endri Shabani, janë të parët në listën e Tiranës. Ndërsa Rudina Hajdari, një tjetër ish i Partisë Demokratike garon për Thurjen në qarkun e Elbasanit.

Nga të pakënaqurit me Qeverinë synon edhe Lëvizja Vetëvendosje, që për herë të parë shtrihet nga Kosova duke u përfshirë në zgjedhjet e Shqipërisë, përmes 3 kandidatëve që garojnë si të pavarur: Boiken Abazi në Tiranë, Iliaz Shehu në Lezhë dhe Kreshnik Merxhani në Gjirokastër. Ndërsa minatori nga Bulqiza, Elton Debreshi, kandidon në qarkun e Dibrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos