
Dy vetë janë arrestuar pasi plagosën me sende të forta një person, pas një sherri në një lokal në Ndroq.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit për një konflikt në një lokal, në Ndroq, ku dy shtetas kishin goditur me sende të forta një shtetas tjetër, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorëve të dyshuar.
Në pranga përfunduan: S. M., për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje"; H. M., për veprën penale "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve".
Gjithashtu është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasi P. R., pronari i lokalit ku ndodhi konflikti, për veprat penale "Moskallëzimi i krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".
“Shtetasi S. M., së bashku me xhaxhain e tij, shtetasin H. M., në një lokal në Ndroq, janë konfliktuar me shtetasin P. T., i cili si pasojë e konfliktit është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa pronari i lokalit, shtetasi P. R., ka dëmtuar vendngjarjen duke penguar zbulimin e së vërtetës, si dhe nuk ka kallëzuar krimin.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në banesën e shtetasit H. M., u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pushkë, 2 krehra arme zjarri pistolete dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak”, tha Policia. (A2 Televizion)