Plagosja e Orges Bilbilit nga policia, dëshmia e efektivit: Pse e qëllova me armë

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2020, 16:25 | Kronikë
Plagosja e Orges Bilbilit nga policia, dëshmia e efektivit: Pse e

Më 10 prill 2020, teksa ishte në kërkim për akuzën e vrasjes, Orges Bilbili u plagos me armë zjarri nga një punonjës policie. Ngjarja ndodhi në zonën e Xhamllikut në kryeqytet. Bilbili u qëllua pasi dyshohet se i drejtoi pistoletën policit që deshi ta ndalojë për t’i verifikuar lejen e lëvizjes në ditë karantine, pa ditur se kishte të bënte me një të kërkuar.  

Për këtë episod, Bilbili ka përfunduar si i pandehur në Gjykatën e Tiranës, ku do të gjykohet për “kanosje për shkak të detyrës” dhe “armëmbajtje pa leje”. Në dosjen e siguruar nga A2, zbardhet dëshmia e policit që e prangosi, ku rrëfehen detajet e përdorimit të armës ndaj një personi që vrapoi dhe s’iu bind urdhrit “Ndal, policia!”.

“Nga një çantë brezi që mbante krahaqafë ka nxjerrë një armë zjarri, tip pistoletë, të cilën e manovroi në duar për ta mbushur dhe ma drejtoi mua duke më thënë: “Mos u afro se do të vras, mos u afro se do të vras”. Duke parë se nuk po i përgjigjej thirrjes sime dhe kërcënimit real që po më bënte me armën drejtuar, kam mbushur armën time dhe kam qëlluar një herë në ajër”, tha polici. 

Polici ka treguar se ndonëse ishte me uniformë, personi me kapuç largohej dhe herë pas here kthente kokën kah tij duke drejtuar armën. Sipas tij, situata kulmoi kur personi që ndiqte u ul të kapte armën që i ra në tokë teksa vraponte: “I ndodhur në këto kushte, përballë një rreziku të vërtetë për jetën, të padrejtë dhe të çastit, kam qëlluar dy herë me armë në drejtim të gjymtyrëve të poshtme të tij, me qëllim ndërprerjen e veprimeve dhe neutralizimin e tij, pasi isha i bindur se ky person do të më qëllonte. Ai u rrëzua i plagosur në rrugë. I largova me këmbë armën që i ra në tokë dhe prita kolegun. Njoftova Sallën Operative duke kërkuar përforcime dhe autoambulancë”.

Nga të shtënat e policit në ngjarje u plagos edhe një kalimtare. Vetë Bilbili, pas arrestimit, ka pranuar të kishte armën me vete dhe se i ka rënë në tokë gjatë ndjekjes, por ka pretenduar se nuk ka bërë asnjë veprim me të. Përveç përballjes me Gjykatën e Tiranës, Bilbili është i pandehur edhe në Gjykatën e Posaçme, si një nga autorët e ngjarjes së 11 tetorit në Lushnjë, ku u vranë dy vetë dhe u plagosën dy të tjerë.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos