
Serbët e veriut të Kosovës duket se nuk do të heqin dorë nga kundërshtia ndaj kryetarëve të rinj të zgjedhur në 4 komunat veriore, në një proces që u bojkotua nga pala serbe.
Qindra serbë janë grumbulluar sërish në sheshet përpara godinave të komunave, aty ku një ditë më parë pati dhe përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të KFOR-it, ku të paktën 25 prej tyre mbetën të lënduar.
Në Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, e marta shënon ditën e tretë të protestave që duket se nuk do të ndalen pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve.
Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, deklaroi në orët e para të mëngjesit se do të shkojë në zyrë për të vijuar punën e tij, i ndihmuar dhe nga trupat e KFOR-it.
Një ditë më parë, ambasadat e vendeve të Quintit dolën me një deklaratë të përbashkët, ku shpreheshin se duhet ndalur dhuna, teksa si zgjidhje gjetën dhe mundësinë që kryetarët e rinj të komunave të mos e kryenin përditë punën e tyre në këto godina.
Ndërkohë që presidenti Vuçiç, e cilëson gjithçka si një provokim të kryeministrit Kurti për të përfshirë në një konflikt Serbinë me NATO.
Dhuna e një dite më parë u dënua nga i gjithë spektri politik majtas e djathtas në Shqipëri, i cili kërkoi që zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet vetëm përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. (A2 Televizion)