
E ftuar në "Ditari" në A2, Elisa Spiropali, kandidate e PS në Tiranë në zgjedhjet e 25 prillit, komentoi edhe ngjarjen e Kavajës ku mbrëmjen e së hënës u plagos me armë një person brenda zyrës elektorale të PD.
Për Spiropalin, ajo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me politikën. Ajo thekson se Basha, Grida Duma apo Meta po tentojnë ta përdorin këtë ngjarje. Më tej, Spiropali e quan kreun e opozitës fëmijëror, naiv dhe imitues të Berishës.
“Sot i kemi të qarta faktet. Ishte një sherr banal që çoi në plagosje. Kjo është provuar nga ai që bëri krimin dhe nga ai që u plagos. Se çfarë pune ka Basha, Grida Duma apo Meta, për t’i hedhur benzinë zjarrit? Ja nxorën bojën edhe Lulzim Bashës. Një njeri që pretendon të bëhet kryeministër duhet të ketë maturi, duhet të ketë arsyen, duhet të ketë dhe ndjeshmërinë që ngjarje të tillë duhet t’i trajtojë me seriozitet.
Basha po tregohet fëmijëror, naiv, imitues i keq i Sali Berishës. Të paktën, Sali Berisha atë sjellje e kishte natyrale, organike, i buronte nga brenda. Ai ishte lideri i konfliktit, por Basha pretendon nga mëngjesi deri në darkë të mbajë një buzëqeshje të stampuar në fytyrë, e pretendon të jetë e ardhmja e Shqipërisë, sulet në një konflikt të tillë për të nxitur sherr aty ku nuk ka. Qershia mbi tortë është fakti që autori e pranoi se ka qenë një kontribuues ndër vite i PD, që ka shkaktuar edhe probleme të tjera. Ai nuk ka asnjë lidhje me PS-në, madje ne nuk themi që ky akt ka lidhje me PD-në. Ngjarje të tilla nuk duhet të përdoren në asnjë moment për të trembur qytetarët”, u shpreh Spiropali. (A2 Televizion)