
Organet e policisë vijojnë aksionin pas ngjarjes së ndodhur në Pogradec, ku mbeti i plagosur Joan Muçllari, djali i pronarit të hotelit Voloreka, i cili u sulmua me armë zjarri para dy vitesh, në një ngjarje që ende kujtohet me makth në qytetin liqenor.
Ndërkohë që vijon puna për kapjen e dy personave të dyshuar për plagosjen, të Firdeus Berberi dhe Griseld Maxhari. Forcat e rendit kanë arrestuar 5 persona, që akuzohen si të përfshirë në krim.
Bëhet fjalë për shtetasin Fabio Bono, 32 vjeç, banues në fshatin Vërdovë të Pogradecit, Kristian Kresto, 26 vjeç, Hekuran Gjona, 22 vjeç, Ladion Shkullaku, 27 vjeç dhe Rudi Shaho, 29 vjeç, të gjithë banues në Pogradec.
Sipas policisë, dyshohet se të akuzuarit kanë ndihmuar autorët e dyshuar të ngjarjes, që të largohen nga vendngjarja. Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe u sekuestrua automjeti tip "Volkswagen Golf" i cili është përdorur në ngjarje, si dhe dy automjete tip "Benz" dhe "BMW X5".
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)