
Të enjten dhe të premten, liderët e Bashkimit Europian janë mbledhur në Bruksel për samitin e radhës. Mes çështjeve që do të diskutohen është edhe ajo e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrel, do t’i informojë udhëheqësit e 27 vendeve për marrëveshjen e arritur më 18 mars në Ohër mes kryeministri Kurti dhe presidentit Vuçiç.
Konkretisht, pritet që Blloku të zyrtarizojë dhe shndërrimin e 11 neneve të propozimit europian, tekstit të aneksit për zbatimin e tij, në kushte për avancimin e Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE. Pajtimi verbal dhe jo me nënshkrim i dokumenteve për normalizimin e raporteve do të jetë pjesë e konkluzioneve nga samiti i liderëve të Bashkimit Europian. Marrë shkas nga deklaratat e fundit nga pala serbe, Borrell ka sqaruar se çdo refuzim i propozimit europian është i kotë pasi tashmë është bërë ligjërisht i detyrueshëm për Prishtinën dhe Beogradin.
“Do t’i informoj liderët për takimin dhe marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Më lejoni që të them se çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje atë marrëveshje do të jetë e kotë. Marrëveshja është arritur. Ajo duhet të zbatohet dhe nuk ka hapësirë për të parë dhe zgjedhur. Ashtu siç është, duhet që e gjitha të zbatohet, pra të gjitha pikat pa asnjë përjashtim. Ne do të ndjekim nga afër se kush po e zbaton dhe kush jo. Do t’i këshilloja ata që të mos drejtojnë gishtin nga asnjëra palë, por të bëjnë punën e tyre”, tha Borrell. (A2 Televizion)