
Nga sheshi “Nënë Tereza”, ku kishte dalë në mbështetje të aktivistëve për mbrojtjen e lumit Vjosa, presidenti Ilir Meta iu përgjigj pyetjes së A2 CNN, se cili ishte plani i tij për mbrojtjen e votës më 25 prill. Ai tha se ky plan do të publikohet në ditët në vijim, ndërkohë që u shpreh i bindur se çdo shqiptar është 100% dakord me presidentin.
“Do të njiheni në ditët që vijnë me planin për mbrojtjen e votës. Çdo shqiptar pavarësisht nga bindjet është 100% dakord me presidentin që s’duhet të vihet më dorë mbi votën, prandaj jemi në këtë situatë të rëndë, që udhëheqim në nivel botëror shpopullimin, se funksionimi i shtetit dhe barazia në zgjedhje është katandisur në këtë gjendje dhe është kusht për çeljen e negociatave. Të gjithë të mbajnë larg duart nga votat, të kontribuojnë për një fushatë civile europiane, të paraqesin alternativat dhe është pozitive që përveç forcave politike kemi edhe mundësinë si qytetarë të shprehemi për kandidatin dhe kandidaten që preferojmë për zgjedhjet dhe të ardhmen. Që duhet të përzgjidhen njerëz me integritet që përfaqësojnë interesat e publikut, interesat kombëtare dhe të respektojnë kushtetutën dhe ligjin.”
Shqetësimi për tonet e presidentit është manovër për të manipuluar kapjen e shtetit, thotë Meta, ndërsa shprehet se Presidenca është kala e papushtueshme edhe në një shtet ku institucionet janë të kapura. Sipas tij, falë qëndresës së presidentit do të rivendoset demokracia në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
“Shqetësimi për tonet e presidentit nuk duhet të ekzistojë, se është manovër për të manipuluar kapjen e shtetit dhe ata që promovuan dhunë te FRD në kulmin e zgjedhjeve sot duhet të ishin marrë në ndjekje penale. Në një vend normal këto zgjidhen me marrëveshje ose gjykatë. Një situatë e tillë tregon se kemi të bëjmë me një bandë që kërkon të nënshtrojë çdo institucion. Presidenca është kala e papushtueshme edhe në një shtet ku institucionet janë të kapura. Duhet të kemi të qartë që falë qëndresës së presidentit do të rivendoset demokracia në bulevardin Dëshmorët e Kombit”.
Lidhur me akuzat e kryeministrit në adresë të tij dhe ish-kryeministrit Berisha, se gratë duhet të ruhen nga harbutëria e tyre, Meta u shpreh se këto deklarata kërkojnë të largojnë vëmendjen nga plani i vërtetë i Ramës, për të vënë dorë mbi votën e qytetarëve
“Nuk është ankuar ndonjë gazetar për prekje me dorë nga Ilir Meta dhe ju e dini sesa i durueshëm e respektueshëm kam qenë me të gjitha ju. Ju e dini kush bën presion ndaj gazetarëve të cilat bëjnë pyetje që nuk kanë kaluar nga zyra e propagandës dhe nga pronarët e mediave që të detyruar nga presionet janë detyruar të porosisin pyetje provokuese. Kam qenë gjithnjë bashkëpunues. Ka nevojë për përmirësime, por kur rekomandime të tilla vijnë nga persona që dihet si janë sjellë me to, është qesharake dhe përpjekje për të spostuar vëmendjen nga plani i vërtetë për të vënë dorë mbi zgjedhjet. Kjo histori ka marrë fund me çdo çmim, Shqipëria do të shkojë drejt zgjedhjeve të lira, nuk ka sondazh të blerë dhe plan djallëzor që të deformojë vullnetin e shqiptarëve. Revolta për dhunimin e kushtetutës është e jashtëzakonshme dhe në themel është pluralizmi dhe në themel të tij vota e çdo qytetari që nga presidenti dhe çdo qytetar nga Vermoshi në Konispol.” (A2 Televizion)