
Dy djem adoleshentë, njëri 16 dhe tjetri 17 vjeç, janë arrestuar në Belgjikë me akuzën se po organizonin një sulm me thikë ndaj policëve.
Të rinjtë u arrestuan të shtunën në qytetin Eupen, pranë kufirit me Gjermaninë. RTBF publikon se adoleshentët kishin regjistruar veten duke u betuar për besnikëri ndaj ISIS-it.
ISIS mori përsipër sulmin terrorist të Kujtim Fejzullahit në Vjenë të Austrisë, mbrëmjen e së martës, si pasojë e të cilit vdiqën 4 persona.
Belgjika ka qenë edhe më parë shënjestër e ISIS-it, kur në mars të vitit 2016 disa kamikazë vranë 32 persona dhe plagosën 340 të tjerë në disa shpërthime në aeroportin e Brukselit dhe në një stacion metroje në kryeqytetin belg.
Në maj të vitit 2018, një burrë i radikalizuar vrau dy policë dhe një student në një tjetër sulm të marrë përsipër nga ISIS. (A2 Televizion)