
Votimi për propozimin francez do të diskutohet ditën e nesërme, duke shtyrë edhe disa orë një ngërç që po bllokon hapjen e bisedimeve të Shkupit dhe në mënyrë indirekte Tiranës.
Por kush po proteston para parlamenti dhe institucioneve të tjera maqedonase?
Sipas analistit Xhelal Neziri, krahas VRMRO DPMNE janë edhe parti dhe njerëz të Moskës, si Levica Dimitar Apasiev dhe Maqedonia e Bashkuar. Por sipas tij ka një lajm të mirë. “Nesër ose të shtunën dokumenti vihet për aprovim nga deputetët, me një shumicë të thjeshtë ku mjaftojnë që 61 deputetë të jenë në Parlament dhe ta votojnë 41 prej tyre, dhe mazhoranca i ka këto numra”, thotë ai në Debat”.
Por kalimi nuk do të thotë që ngërçi është i zgjidhur. Mospranimi i opozitës i këtij propozimi do të kishte efekte jo për hapjen e negociatave, por për kapitujt e mëvonshëm.
“Pa opozitën nuk do të mund të plotësohet kushti kryesor i propozimit francez për ndryshimin kushtetues që përfshin bullgarët etnikë. Miratimi në Parlament fillon procesin e negociatave, a janë të harmonizuara me ligjet europiane, por kapitulli i parë hapet vetëm me ndryshimin e kushtetutës, dhe për këtë qeveria nuk i ka numrat, edhe me shtimin e shqiptarëve të Besës, dhe i duhen të paktën 5 deputetë që t’i marrë nga opozita, ose ta bindë opozitën. Pra për Maqedoninë do të ketë shumë të panjohura”.
Por sa është mbështetës faktori shqiptar? “Padyshim jo vetëm PDSH dhe BDI, por konstruktivë që nga fillimi kanë qenë edhe Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës dhe Besa e Bilal Kasamit, madje kanë mbështetur edhe refuzimin e versionit të parë të propozimit, që nuk ishte sqarues për statusin e gjuhës maqedonase, kryeshtyllë i çdo identiteti etnik, ku shqiptarët kanë treguar një solidaritet me maqedonasit”, shton analisti Neziri.
Për Ilir Aliaj, ekspert i çështjeve të integrimit, ditët në vijim janë jashtëzakonisht të rëndësishme, edhe për Shqipërinë. “Na shtrohet rruga për negociatat dhe secili do të vlerësohet sipas performancës personale. I gjithë preteksti bullgar për veton u zbut nga rrethanat, situata në Europë e ka detyruar Bullgarinë të ndryshoi ligjin që bllokonte Maqedoninë në integrimin e BE-së. Plani francez është i mirë, sepse i lë hapësit e palëve duke i lënë kohë për të negociuar”, thotë ai.
Për gazetarin Ben Andoni, “problemi i parë i Maqedonisë tani është që do të bëj shumë flirte me opozitën, që janë të mundshme sepse është kaq i gjatë procesi sa në momentin që do të ndodhë rotacioni do t’i duhet opozitës së sotme të bëj sërish marrëveshje me qeverinë e sotme që do të jetë në opozitë”.
Sipas tij, “mendoj që Maqedonia e Veriut ka punuar për sa i përket përafrimit me BE, kurse ne do të fillojmë nga e para, por rëndësi ka për Shqipërinë që të hapet drita jeshile”. (A2 Televizion)