
“Gjuha maqedonase është e juaja”. Me këtë fjali presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, mori ovacionet dhe duartrokitjet e shumicës së deputetëve të parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Por disa ligjvënës të VMRO-DPMNE-së në opozitë u dëgjuan teksa thërrisnin “tradhtarë”, ndërsa jashtë kuvendit qindra qytetarë po protestojnë kundër qeverisë dhe planit Macron.
Në fjalimin e saj, zyrtarja e lartë e BE-së tha se Shkupi është në prag të një momenti vendimtar, dhe kërkoi pranimin e propozimit francez për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Von der Leyen shtoi se Maqedonia e Veriut ka treguar guxim me marrëveshjen e Prespës dhe se është një vend model i tolerancës ndëretnike.
“Nëse vendosni të miratoni propozimin e rishikuar francez, në ditët në vijim do të mbahet konferenca ndërqeveritare. Ne si komision do të fillojmë menjëherë procesin e kontrollit ose shqyrtimit të ligjit europian. Ky është hapi i parë në procesin e aderimit. Të dashur maqedonas, i dëgjova me vëmendje shqetësimet lidhur me gjuhën dhe identitetin maqedonas. Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Po e përsëris, nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe ne e respektojmë plotësisht këtë. Prandaj në propozimin e rishikuar thuhet: gjuha maqedonase, pa përcaktime nga BE-ja. Propozimi e respekton edhe identitetin tuaj kombëtar. Principi i vetidentfikimit është i rëndësishëm për çdo marrëdhënie”, tha Von der Leyen.
Mesazhi i presidentes së Komisionit Europian vjen ndërsa ligjvënësit në Shkup diskutojnë për propozimin francez. Dhënia e dritës jeshile për të nga parlamenti dhe qeveria e Maqedonisë së Veriut, mundëson caktimin e datës për konferencën e parë ndërqeveritare, jo vetëm për Shkupin, por edhe për Shqipërinë. (A2 Televizion)