
Maqedonia e Veriut ka qenë vendngjarja e një seri protestash nga opozita dhe elementë nacionalistë që kundërshtojnë propozimin francez për marrëveshje me Bullgarinë, në kuadër të fillimit të bisedimeve me BE. Por kur do të mbahet seanca për miratimin e propozimit francez, dhe si duhet të reagojë faktori shqiptar?
Sipas gazetarit Nazim Rashidi, “tensioni politik është i tillë që mund të krijojë edhe përplasje të tjera, por po tentohet që propozimi të marrë edhe miratimi i parlamentit, në mënyrë që qeveria të jetë më e lehtësuar. Ka zëra të ndryshëm, por nuk ka vendim të prerë për datën. Ajo që dihet është që propozimi nuk do të shkojë në komisione parlamentare dhe do të votohet me shumicë të thjeshtë”.
Ndërkohë, ka traktativa për të “zbutur” disi propozimin, nga momenti që opozita maqedonase mendon se ky protokoll mund të ketë hile të tjera që mund të cenojnë identitetin maqedonas.
Sipas ambasadorit Çejku, i ftuar po ashtu në ”Debat”, propozimi francez është mundësi reale për tejkalimin e ngërçit të momentit, por nuk e zgjidh problemin.
“Kriza në Maqedoninë e Veriut ka rrënjë më të thella, dhe probleme të qasjes së vullnetit politik, të liderëve të vendit, që ende nuk e kanë kuptuar se RMV është një shtet multietnik dhe multikulturor edhe multigjuhësore, dhe që nuk mund të jetë një shtet komb siç shkruhet në librat shkollorë maqedonas, të cilët duhen riformatuar”, thotë ambasadori.
Por çfarë roli mund të luajë faktori shqiptar aty? Sipas Çejkut, “faktori shqiptar duhet të përdorë këtë mundësi për ta parë RMV si një shtet ku të gjithë janë të barabartë dhe nuk mund të pretendohet që të krijohet një konflikt me prapavijë etnike se nuk do të ishte e dobishme për vetë Maqedoninë e Veriut. Por në Shkup kur ankohen e drejtat e tyre për etninë maqedonase, duhet që është faktor stabiliteti dhe garancie për ardhmërinë e Maqedonisë së Veriut” .
Sipas tij propozimi nuk është vetëm francez, vjen nga miqtë euroatlantik dhe SHBA, mesazhi i sotëm i kancelarit Scholz është një përmbledhje e kësaj qasje.
Analisti Ilir Kalemaj ka diçka që i bën përshtypje. Sipas tij, “megjithëse fqinji me luajal ka qenë Shqipëria, ndërkohë që Serbia, Bullgaria dhe Greqia e kanë kontestuar historinë, gjuhën dhe territorin maqedonas, ne pamë protesta që kishin kore antishqiptare. Pra është një situatë paradoksale, i është vënë faji zotit Bujar Osmani si të kishte shitur identitetin maqedonas Bullgarisë, diçka që nuk është e vërtetë”.
Mbi kësaj çështje Rashidi përgjigjet se pjesë e protestës përfshin edhe nacionalistët që nuk kanë marrë kurrë pjesë në dialogut, por tregon sa delikat është ekuilibri ndëretnik në Maqedoni. “Sa herë subjektet politike kanë dashur të tensionojë gjërat kanë përdorur kartën e marrëdhënieve ndëretnike. Por në këtë rast nuk besoj se do arrihet, sepse përfshirja e shqiptarëve në institucione nuk mund të ndalë dhe dy partitë e mëdha e pranojnë se roli i shqiptareve në stabilitet është i madh dhe se pa to nuk mund të qeveriset”, thekson Rashidi në A2 CNN. (A2 Televizion)