“Po flitet shumë për përplasje bërthamore”, Moska: Rusia dhe SHBA në fazën e një lufte të nxehtë

Nga A2 CNN
5 Prill 2023, 15:58 | Bota
“Po flitet shumë për përplasje bërthamore”,

Rusia është “tashmë në fazën e një lufte të nxehtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Kështu pretendon zëvendësministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov, që akuzon Uashingtonin për përfshirje të drejtpërdrejtë në një luftë hibride ndaj Moskës në mënyra të ndryshme. Për Radio Sputnik, numri dy i diplomacisë tha se për fat të keq, tashmë po flitet gjithnjë e më shumë për kërcënimin e një konflikti bërthamor.

“Sa në mënyrë të pamatur, provokuese dhe në shumë aspekte absolutisht arrogante, kundërshtarët tanë amerikanë po ngjitin shkallët e përshkallëzimit të konfliktit, sa të verbuar janë nga besimi i tyre absolutisht absurd dhe i pabazë në aftësinë për t'i shkaktuar një disfatë strategjike Rusisë. Kjo është një lojë me zjarrin në kuptimin e vërtetë të fjalës”, u shpreh zv.ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov.

Zyrtari rus foli dhe për Traktatin New Start për menaxhimin e armëve bërthamore me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se “ajo marrëveshje nuk ka vdekur, por është në terapi intensive”.

Vladimir Putin njoftoi më shkurt tërheqjen nga ky pakt. Sakaq, nuk kanë munguar as akuzat e Moskës ndaj Kievit. Ministria e jashtme ruse pretendon se Ukraina po kërkon të eliminojë besimin ortodoks nga vendi.

Nga ana tjetër, komanda ukrainase dhe forcat e mbrojtjes njoftuan se po përgatisin një kundërofensivë për të shtyrë pas ushtrinë e Rusisë. Një ndër synimet e Kievit është që të rimarrë kontrollin e Krimesë së aneksuar nga Federata Ruse. Sipas këshilltarit të presidentit Zelensky, Mykhailo Podolyak, gadishulli do t’i rikthehet Ukrainës shumë shpejt, brenda disa muajve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos